Prof.dr. Enver Hasani, në Akademi (AKSP) është i angazhuar pa kompensim, në mënyrë vullnetare.
22.12.2014Vushtrri, 22 dhjetor 2014 - Lidhur me lajmin e publikuar në disa portale në Kosovë, ku ndër të tjera thuhet se, Prof. dr. Enver Hasani, kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, punon si mësimdhënës në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), dëshirojmë tju informojmë se: AKSP ka qenë e nderuar kur më 7 shkurt të vitit 2014, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani, ka nënshkruar kontratën për punë vullnetare të ofruar nga AKSP, për mësimdhënie të lëndës: E Drejta Kushtetuese.
Neni 6, pika 2 e kontratës, thotë se mësimdhënësi, Prof. dr. Enver Hasani, angazhohet në mënyrë vullnetare, andaj punëdhënësi nuk ka obligim financiar ndaj mësimdhënësit sipas kushteve të kësaj kontrate.
AKSP në vazhdimësi kultivon ndjenjën e falënderimit të thellë për kontributin e çmueshëm që kryetari Hasani po e jep në këtë institucion të arsimit të lartë në Kosovë, marrë parasysh faktin se ky është viti i parë i funksionimit të Fakultetit të Sigurisë Publike në Akademi.
Dëshira e profesorit Hasani, që të mbajë ligjërata në mënyrë vullnetare dhe pa pagesë për studentët e Akademisë, të cilët vijnë nga agjencitë e zbatimit të ligjit, është inkurajim për Akademinë, studentët dhe mësimdhënësit e Fakultetit të Sigurisë Publike.