Republika e Kosovës Ministria e Punëve të Brendshme

Dekani Gashi mori pjesë në konferencën “Kërkimi shkencor dhe siguria publike”

26.04.2022

Tiranë, 26 prill 2022 - Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike Bejtush Gashi, mori pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare me temën “Kërkimi shkencor dhe siguria publike”, e cila u organizua më 26 prill 2022 nga Akademia e Sigurisë në Tiranë. Gjatë kësaj konference dekani Gashi u paraqit me kumtesën “Modeli i kërkimit shkencor në fushën e sigurisë në Republikën Kosovës”.

 

Qëllimi i mbajtjes së kësaj konference ishte për të diskutuar rreth çështjeve që lidhen me raportin e kërkimit shkencor në sigurinë publike. Gjatë konferencës të pranishmit paraqiten përvojat dhe gjetjet e tyre rreth modaliteteve për të ardhmen sa i përket arsimimit në fushën e sigurisë publike.

 

Në konferencë morën pjesë përfaqësues nga institucione të ndryshme, si: Akademia e Shkencave, Akademia e Forcave të Armatosura, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit Tiranë dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike, etj, si dhe nga stafi pedagogjik e kërkimor i Akademisë së Sigurisë.Drejtori i Akademisë së Sigurisë në Shqipëri Bilbil Mema në hapjen e konferencës vlerësoi si shumë të rëndësishme vazhdimin e zgjerimit të kërkimit shkencor në Akademinë e Sigurisë dhe në Policinë e Shtetit.

 

Ndërsa, Xhavit Shala drejtori i Qendrës Kërkimore Shkencore (QKSH), të Akademisë së Sigurisë duke u paraqitur me temën “Kërkimi shkencor dhe siguria publike: eksperienca e QKSH-së, arritje dhe sfida”, prezantoj punën e zhvilluar në vite nga QKSH-ja, duke ekspozuar kështu se si qëndron kërkimi shkencor në raport me nevojat dhe sfidat. Për kërkimin shkencor në fushën e sigurisë publike në Kosovë “Modeli i kërkimit shkencor në AKSP, Kosovë”, kumtesën e mbajti Bejtush Gashi dekan i Fakultetit të Sigurisë Publike / Akademia e Kosovës për Siguri Publike.

 

Në sesionin e parë për projektet e kërkimit shkencor në fushën e sigurisë publike si dhe një informacion të përmbledhur mbi gjendjen e zhvillimit të kërkimit shkencor në Shqipëri, paraqiti Mirela Muça drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Kurse Zaho Golemi shef i Sektorit të Kërkimit Shkencor mbajti një fjalim më temën “Kërkimi shkencor dhe institucionalizimi në AS (nga tradita e kërkimit shkencor në Shqipëri te ajo në AS)”.

 

Në sesionin e dytë të Konferencës, folën ekspertët finlandezë: Vesa Muttilainen Drejtor i Kërkimit Shkencor në Kolegjin Policor Universitar të Finlandës; Vesa Huotari kërkues i parë në Kolegjin Policor Universitar të Finlandës; Tero Kokkonen kërkues i parë dhe menaxher për kërkim-zhvillim në Universitetin e Shkencave të Aplikuara - JAMK, dhe Anna-Liisa Ojala këshilltare e lartë në Universitetin e Shkencave të Aplikuara - JAMK.Konferenca u mbyll me disa konkluzione dhe diskutime rreth tematikës kryesore.

 

Qëndro i lidhur