Në Akademi u mbajt “Miniolimpiada 2019” për persona me nevoja të veçanta

21.06.2019

Vushtrri, 21 qershor 2019 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP),  sot  u mbajt  “Miniolimpiada 2019”,  për persona me nevoja të veçanta  e  organizuar nga Komiteti Para Olimpik i Kosovës dhe Organizata e Prindërve dhe Fëmijëve me Aftësi  të Kufizuara  e mbështetur nga OSBE-ja  dhe  Akademia. 

Në ceremoninë e  hapjes së miniolimpiadës morën pjesë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, Ministrja e  Pushtetit Lokal Adriana Hodžić, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail  Smakiqi, Drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike të OSBE Ake Roghe, kryetarja e Komitetit  Paralimpik Njomza  Emini, Drejtor i Departamentit të Sportit të Ministrisë së Kulturës,  Rinisë dhe Sportit  Iber Alaj, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer  Tahiri, Udhëheqësi i HANDIKOS-it  Afrim Maliqi, ambasadorë të shteteve evropiane në Kosovë si dhe  përfaqësuesit e OPFAKKOS-it.


Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli   në ceremoninë e hapjes së kësaj miniolimpiade u shpreh i gatshëm që personat më nevoja të veçantë t’i përkrahë në çdo fushë.
“Ne jemi këtu për të dëshmuar përkrahjen për ju. E dimë që ka sfida, por bashkërisht do ta keni përkrahjen e fuqishme nga ne”, tha Veseli.


Kryetari Veseli  tha se këto kategori do të inkurajohen dhe do të kenë hapësirë edhe në institucionet publike. “Vendi ynë është shumë i vogël, por mundësitë  janë shumë të madha që të jetojmë më mirë, që të kem hapësirë më shumë”, tha Veseli.

Më këtë rast kryetari Veseli iu uroi suksese garuesve që do të marrin pjesë në lojërat olimpike. “Unë pres që në garat para olimpike të merrni pjesë dhe të jeni kampion”, u shpreh Veseli.

Ndërsa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se kanë bërë disa punë të mira për personat me nevoja të veçanta, deri sa u shpreh se nuk do të ndalet duke ofruar mbështetje në të gjitha fushat për këto kategori.

“Kam qenë pjesëmarrës disa herë në aktivitetet e organizuara nga ju dhe se çdoherë ka qenë motivim për mua  për të parë energjinë dhe entuziazmin e juaj”, u shpreh Haradinaj. 

  Kryeministri Haradinaj iu uroi pjesëmarrësve suksese në garat e tyre dhe i ftoj që ta dëshmojnë më të mirën,  atë shpirtin garues, shpirtin sportiv, duke i uruar fitoren. 

Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria ka bërë disa punë të mira sa i përket personave me nevoja të veçanta, sidomos ligjin për kujdesin për paraplegjikët e Kosovës, por premtoj se nuk do të ndalet më kaq në këtë drejtim, për t’i përkrahur këto kategori.  “Ju uroj suksese, ndërsa më të mirëve fitoren”, tha kryeministri Haradinaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, duke iu uruar mirëseardhje pjesëmarrësve në Akademi, theksoi se  miniolimpiada për persona me aftësi të kufizuara  është një ngjarje mjaft me rëndësi e cila ju mundëson të pranishmeve të zhvillojë disa aktivitet sportive.


“Stafi i Akademisë çdo herë  shërben vullnetarisht që pjesëmarrësit në miniolimpiad të realizojnë aktivitet e tyre sportive. Më këtë rast falënderoi vullnetarët e shumtë të angazhuar nga Institucione vendore dhe ndërkombëtare”, tha drejtori Smakiqi.


Duke e cilësuar miniolimpiaden si njërin ndër aktivitetet mjaftë të rëndësishme, drejtori Smakiqi foli edhe për misionin, trajnimet dhe proceset nëpër të cilët është duke kaluar Akademia. “Akademia do të vazhdoi me përkushtim të përmbush misionin e saj, të ofroi të gjitha llojet e trajnimeve dhe arsim të lartë për të punësuarit në agjentë e sigurisë publike”,  u shpreh Smakiqi duke folur edhe për vlerat dhe bashkëpunimet ndërkombëtare që ka Akademia.

Më rastin e mbajtës së miniolimpiades drejtori Smakiqi iu dëshiroj  gara të suksesshme pjesëmarrësve.

Drejtorit i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në OSBE, Ake Roghe, tha se lojërat olimpike janë një ngjarje shumë e rëndësishme ku kanë mundësi të marrin pjesë shumë persona që të tregojnë aftësitë e tyre në lojëra të ndryshme. Roghe tha se ky komunitet është i veçantë dhe përmes këtij eventi duhet që t’iu garantohet mbështetja e duhur. “Kjo është një ngjarje e mrekullueshme, është inspiruese dhe një shembull i mirë”, tha Roghe.


Ministrja e Pushtetit Lokal, Adriana Hodziq, u shpreh se të gjithë duhet të angazhohen që personat me nevoja të veçanta të kenë qasje si të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës.

“Garat e organizuara për personat me nevojat të veçanta më një numër kaq të madh janë rast se dëshmohet fakti se personat me nevoja të veçanta janë plotësisht të barabartë më gjithë qytetarët e Kosovës. Nevojat  e tyre janë të njëjta sikurse nevojat e gjithë të tjerëve dhe prandaj të gjithë institucionet duhet të angazhohen që edhe këta persona të kenë qasje si gjithë qytetarët tjerë”, u shpreh ministrja Hodziq.


Ndërsa, presidentja e Komitetit Paraolimpik, Njomza Emini, tha se viti 2019 do të jetë i veçantë për këtë komitet dhe theksoi se janë të gatshëm për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

 “Viti  2019 do të jetë i veçantë për faktin se ky vit e gjen komitetin paraolimpik të pranuar me të drejtat e plota në të gjithë organizmat ndërkombëtarë. Ne kemi aplikuar në komitetin paraolimpik, jemi në proces dhe uroj që këtë viti të jemi të pranuar ndërkombëtarisht”, u shpreh Emini.

Ndryshe në miniolimpiada zhvillohen gara  hendboll, basketboll, pikado, futboll, shah, pingpong, vrapim me karrocë, shenjëtari etj. Ky aktivitet tashmë është tradicional dhe kjo është hera e pesëmbëdhjetë që mbahet në Akademi