Në AKSP u mbajt webinar i CEPOL

03.12.2018

Vushtrri, 30 nëntor 2018.- Sot në hapësirat e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike për herë të parë u mbajt një webinar i Agjencisë së Bashkimit Evropian për Trajnime në Zbatim të Ligjit (CEPOL) për zyrtarët e zbatimit të ligjit të Kosovës.

Agjencia e Bashkimit Evropian për Trajnime në Zbatim të Ligjit (CEPOL) dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Droga dhe Krime (UNODC) kanë lansuar projektin për Krime Financiare në Ballkanin Perëndimor (WBFI), në kuadër të të cilit organizojnë kurse kombëtare dhe regjionale, pjesëmarrje në Programit e Shkëmbimit të CEPOL ndërmjet zyrtarëve të zbatimit të ligjit nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor si dhe aktivitete të tjera përkrahëse.

Si pjesë e këtij projekti ishte edhe trajnimi “Hetimet financiare që kanë të bëjnë me trafikimin e narkotikëve”, i cili u mbajt në Prishtinë nga 8 - 12 tetor 2018, në të cilin morën pjesë 29 zyrtarë të 7 institucioneve të Kosovës për zbatimin e ligjit, siç janë: Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës, Njësia për Inteligjencë Financiare, Administrata Tatimore e Kosovës, Prokuroria, Gjyqësia dhe vet Akademia e Kosovës për Siguri Publike.

Qëllimi i këtij webinari ishte që t’ua rikujtojë dhe vlerësojë përmbajtjen e trajnimit si më lart, që të diskutojë për temat që u janë prezantuar në trajnim në kohë reale me të tre ekspertët që ua kanë mbajtur trajnimin dhe njëkohësisht që të shfrytëzohet kjo mundësi për të promovuar përdorimin e rrjetit elektronik (e-Net), përkatësisht të Sistemit të Menaxhimit të të Mësuarit, që do të mund të përdoret, p.sh., për të filluar një grup të diskutimeve në forum.
 
Akademia e Kosovës për Siguri Publike në këtë mënyrë po përkrah dhe promovon të mësuarit elektronik në një prej platformave më të njohura dhe më të rëndësishme në fushën e zbatimit të ligjit në Evropë, siç është ajo e CEPOL.

Ky në fakt do të jetë edhe një ndër objektivat strategjikë të Akademisë për të ardhmen.
 
AKSP më 24 mars 2017 ka nënshkruar Marrëveshje Pune me CEPOL dhe si rezultat i kësaj marrëveshjeje ka arritur që të përfshijë zyrtarët e zbatimit të ligjit të Kosovës në trajnime të ndryshme të CEPOL në Kosovë dhe jashtë vendit, në Programin e Shkëmbimit si dhe shumë prej tyre janë të kyçur dhe përdorin efektivisht Sistemin e Menaxhimit të të Mësuarit (LMS), duke marrë pjesë në webinarë, kurse online, duke përdorur librarinë elektronike etj.