Diplomoi gjenerata e parë e studentëve të Fakultetit të Sigurisë Publike

06.07.2018Vushtrri, 06 korrik 2018 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot u mbajt ceremonia e diplomimit të  gjeneratës së parë të studentëve të Fakultetit të Sigurisë Publike në programin e studimeve bachelor. 


Në ceremoni të pranishëm ishin ministri i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë për Siguri Publike Ismail Smakiqi, drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në OSBE Ake Roghe, ud i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Naim Rexha, ud i Dekanit të Fakultetit të Sigurisë Publike Nexhat Jashari, Laura Dobruna udhëheqëse e Departamentit të Burimeve Njerëz në Doganën e Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës Nehat Thaçi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent Fadil Kodra, ud e Kryeshefit Ekzekutiv të Inspektoratit Policor të Kosovës Miradije Kelmendi, stafi akademik dhe përfaqësues tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.


Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi duke i përgëzuar studentët për suksesin e tyre, tha se Akademia do të vazhdojë të jetë shembull i mirë për ofrimin e arsimit cilësorë në fushën e sigurisë.


Smakiqi tha se programi  studimor i krijuar nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe i  akredituar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim është i mbështetur edhe nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.


“Përkrahja e Bashkimit Evropian vazhdoi edhe në projektin e dytë të binjakëzimit, po ashtu u implementua nga ekspertët e Finlandës dhe Estonisë  dhe si rezultat i komponentës së dytë të këtij projekti në shtator të vitit 2017 ky program studimor u ri akreditua nga Agjencia e Kosovës se Akreditimit”, u shpreh Smakiqi duke thënë se Akademia si institucion dhe programi studimor bachelor në sigurinë publike në procesin e ri akreditimit u vlerësua  nga ekspert gjermanë me notën më të larta, kurse raportet e vetëvlerësimit u cilësuan si raporte me standarde për tu ndjekë si shembull.


Drejtori Smakiqi tha se programi studimor bachelor i sigurisë publike me 240 kredi, është bazuar në nevojat e institucioneve të sigurisë publike.

“Programi studimor i Akademisë  është koncept unik dhe i veçantë jo vetëm në Kosovë, por në rajon dhe me gjerë”, tha Smakiqi duke thënë se mobilitetit përmes programit të shkëmbimit me ERASMUS + dhe CEPOL, po ashtu ka qenë një veçori dalluese e studimit në Fakultetin e Sigurisë Publike ku siç tha ai studentët kanë përfituar nga shkëmbimi përmes ERASMUS + dhe CEPOL


Smakiqi gjatë ceremonisë ka përmendur edhe akreditimin ndërkombëtar të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – IADLEST.



Kurse ministri i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi duke ofruar mbështetje për Akademinë para studentëve të sapo diplomuar tha se shteti nuk kërkon asgjë prej tyre për pos cilësi.


“Në cilësinë e ministrit të Punëve të Brendshme kam kënaqësinë të konfirmojë përkushtimin dhe përkrahjen time për të vazhduar avancimin e mëtutjeshëm më qëllim që Fakulteti i Sigurisë Publike në Akademi të jenë lider në rajon dhe më gjerë për arsimin e lartë në fushën e sigurisë publike”, u shpreh Gashi duke thënë se sot çështja më jetike për shoqërinë tonë e shtetin demokratike të Republikës së Kosovës është vendosja e shteti të së drejtës nëpërmjet vendosjes dhe jetësimit të pranimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në jetën publike.


“Kjo duhet të jetë detyra e juaj nesër dhe përgjithmonë. Për të gjithë ju që po e mbyllni sot këtë kapitull dhe mëtoni të hidhni hapat e parë drejtë profesionit dhe tregut të punës nuk duhet ta harroni këtë detyrë”, u shpreh Gashi.


Gjithashtu ministri Gashi tha se qëndrojnë pranë asaj së gjithmonë të ofrohet një arsim cilësor, për një Akademi  dhe  për një Fakultet të Sigurisë Publike sa më cilësor.


Duke thënë se ishte kënaqësi që ka qenë profesor dhe dekan i Fakultetit të Sigurisë Publike dhe duke  iu uruar studentëve sukses në punë e tyre ministri Gashi shprehi mbështetjen e tij  pa asnjë kusht tjetër,  përveç kërkesë për cilësi në këtë sfidë të madhe për ju e për shoqërinë tonë.


Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Nexhat Jashari tha se gjenerata e parë e sapo diplomuar është model për gjenerata tjera të cilat do të vijojnë studimet në Fakultetin e Sigurisë Publike. 


“Të studioni në Fakultetin e Sigurisë Publike të nderuar studentë nuk ishte e lehtë, mase ishte edhe një sfidë në rrugëtimin tuaj për të arritur nivele të reja dhe më të larta të njohurive akademike, shkencore dhe ngritjen profesionale, sfidë të cilën ju me angazhim dhe punë e tejkaluat”, u shpreh Jashari duhet thënë së investimi në arsimin e fushës së sigurisë shpaguhet shumëfishë dhe reflekton pozitivisht në sigurinë publike dhe mirëqenien e qytetarëve të vendit.


 Ndërkaq ud i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Naim Rexha, duke i përgëzuar studentët  për arritjen iu uroi sukses në rrugëtimin e zhvillimit të karrierës së tyre.


“Ju uroi përzemërsisht diplomimin më kërkesën që mësimi të jetë një mision i barasvlershëm me jetën tonë, ju ftojë që me kompletimin e  këtij programi jashtëzakonisht të rëndësishëm të vazhdoni veç e veç dhe bashkërisht që të mësojmë edhe më tutje”, u shpreh Rexha.


Ndërsa në emër të studentëve foli Zijavere Keqmezi e cila u shpreh e lumtur që ishte pjesë e studimeve në Fakultetin e Sigurisë Publike për katër vite me radhë. Keqmezi falënderoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike konkretisht drejtorin Smakiqi për përkrahjen  e vazhdueshme që ua ka dhënë.

Numri i studentëve të sapo diplomuar është 61, në fund të ceremonisë studentëve   iu shpërndan certifikata.