U.d. Kryeshefja Ekzekutive, Znj. Taibe Canolli, mori pjesë në takimin e Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Kolegjeve Policore Evropiane

22.02.2010

Vushtrri, 22 shkurt ’10. - Më 1 dhe 2 shkurt ‘10 u.d. Kryeshefja Ekzekutive e QKSPEZH, Znj. Taibe Canolli, mori pjesë në takimin e radhës të Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Kolegjeve Policore Evropiane (AKPE – AEPC). Nikoqir i takimit ishte Instituti Policor Zviceran, i cili organizoi këtë takim në Neuchâtel të Zvicrës.

Takimin e udhëhoqi Z. Maurice Petit, Kryetar i Asociacionit dhe njëherit Drejtor i Kolegjit Policor të Belgjikës. Në këtë takim u fol për bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe CEPOL-it dhe për Politikën Fqinjësore Evropiane (PFE – ENP). Tema të tjera për diskutim ishin edhe bashkëpunimi me Agjencinë e Unionit Evropian për të Drejta Fundamentale dhe Konferenca belge në lidership në bashkëpunim me CEPOL-in. Një pjesë të diskutimeve zuri edhe organizimi i takimeve të ardhshme të këtij asociacioni dhe kalendari vjetor i kurseve të organizuara nga anëtarët e asociacionit.

Pjesëmarrës të këtij takimi të Asociacionit të Kolegjeve Policore Evropiane ishin udhëheqës të lartë të institucioneve arsimore e trajnuese të policisë nga Azerbaixhani, Belgjika, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Kosova, Mali i Zi, Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Serbia, Sllovakia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Turqia.

Në këtë takim Znj. Canolli mori obligime për bashkëpunim të mëtutjeshëm në aktivitetet që do të organizohen në të ardhmen në Turqi, Gjeorgji e Spanjë. Kolegjet policore nga Evropa do të paraqesin katalogun e kurseve të cilat i mbajnë dhe QKSPEZH do të jetë njëra ndër kontribueset për përpilimin e këtij katalogu, duke përfshirë në të kurset e veta.

Asociacioni i Kolegjeve Policore Evropiane (AKPE – AEPC) është themeluar në vitin 1995 nga kolegjet policore të Gjermanisë. Holandës dhe Britanisë së Madhe. Sot ky asociacion numëron 42 anëtarë – kolegje policore nga e tërë Evropa, dhe është një platformë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe hapjen e mundësive të reja në fushën e trajnimit dhe edukimit policor, veçanërisht për zyrtarët e lartë policorë.