U nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Akademisë dhe CEPOL-it

24.03.2017

Vushtrri, 24 mars 2017 -  Akademia e  Kosovës për Siguri Publike (AKSP) dhe Agjencia e Bashkimit Evropian për Trajnime dhe Zbatim të Ligjit  (CEPOL),  sot nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit, qëllimi i secilës  është definimi i marrëdhënieve ndërmjet AKSP-së dhe CEPOL-it, duke specifikuar natyrën, shtrirjen dhe mënyrën në të cilën Akademia mund të merr pjesë në punën e  kësaj  agjencie dhe  aranzhimeve të nevojshme për të ndihmuar bashkëpunimin reciprok.

Nënshkrimi i  marrëveshjes u bë në mes të Drejtorit Ekzekutiv të CEPOL-it z.Ferenc Bánfi dhe Ministrit të Punëve të Brendshme z.Skender Hyseni, ku i pranishëm ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike z.Ismail Smakiqi.

Drejtori i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, z.Ismail Smakiqi tha se nënshkrimi i marrëveshjes së punës më CEPOL-in është shumë i rëndësishëm për Akademinë dhe zbatuesit e ligjit.
“Gjatë viteve të  fundit Akademia ka vazhduar të komunikoj më CEPOL-in më qëllim që të krijoi marrëveshje pune dhe jemi me fat që këtë marrëveshje bashkëpunimi po e nënshkruajmë sot”, u shpreh Smakiqi.

Smakiqi tha se dobitë e kësaj marrëveshje janë; trajnimet, kurset, seminaret, programet e këmbimeve, korrikulat e përbashkëta, hulumtimet shkencore, platforma  E-learning si dhe  platforma tjera të cilat siç tha ai janë të domosdoshme  për Akademinë.

“Trajnimet që ofrohen nga CEPOL-i, si; komunikim në bashkësi, bashkëpunimi kryesor në kuadër të terrorizmit dhe ekstremizmit,  bashkëpunimi policor, krimi ekonomik financiar dhe mjedisor,  sistemi organizativ i strukturave të policisë brenda Bashkimit Evropian, migrimi ilegal, menaxhimi i lidershipit strategjik të gjitha këto janë tema të rëndësishme të cilat mbahen nga CEPOL-i dhe që do të jetë përfituese edhe Akademia”, tha Smakiqi duke falënderuar Drejtorin Ekzekutiv të CEPOL-it  z.Ferenc Bánfi për përkrahjen e vazhdueshme që të arrihet nënshkrimi i kësaj marrëveshje.

“Akademia është anëtare e shumë rrjeteve të kolegjeve të ndryshme policore, megjithatë nënshkrimi i marrëveshjes së punës me CEPOL-in  për Akademinë është e një rëndësi të veçantë”, u shpreh drejtori Smakiqi.

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni falënderoi drejtorin Smakiqi për organizimin e kësaj ceremonie, duke vlerësuar se nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me CEPOL-in është shumë i rëndësishëm për Akademinë dhe MPB-në përgjithësi.

"Kënaqësia bëhet edhe më e madhe ku sot nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit me këtë agjenci të Bashkimit Evropian që është marrëveshja e tretë që Ministria e Punëve të Brendshme përkatësisht agjencitë përkatëse të ministrisë nënshkruajnë me Bashkimin Evropian", tha ministri Hyseni.

Ministri Hyseni tha Marrëveshja e Punës me CEPOL-in është e një rëndësie të veçantë në rrafshin e përsosjes së mëtejme të mësimdhënies edhe për Akademinë.

"Ju përgëzoj të gjithëve që keni punuar për arritjen e kësaj marrëveshje. Falënderoj shumë drejtorin ekzekutiv të CEPOL-it, z. Ferenc Banfi për përkushtimin që kjo marrëveshje të arrihet. Kosova ka bërë shumë në integrimin e policisë dhe institucioneve të saj të sigurisë në arkitekturën e sigurisë, qoftë rajonale qoftë evropiane dhe se është optimist në anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL", theksoi ministri Hyseni.

Ndërsa, Drejtorit Ekzekutiv i CEPOL-it z.Ferenc Bánfi  ka përmendur se CEPOL   në  vitin e kaluar ka kryer trajnime për 80 mijë zyrtarë policorë, nga më shumë se 45 vende të ndryshme të botës, ku nga sot  është pjesë  edhe Kosova.

“Jeni të mirëseardhur në familjen tonë dhe ju shprehi falënderimet me të sinqerta me organizimin e kësaj ceremonie dhe mikpritjen e ngrohtë që është impresionuese”, tha Bamfi.

Bashkëpunimi mes Akademisë dhe CEPOL-it do të bëhet duke përfshirë pjesëmarrjen e zyrtarëve të zbatimit të ligjit të Kosovës në sesionet trajnuese të CEPOL-it, dhe të zyrtarëve të zbatimit të ligjit të BE-së që operojnë në fushën e çështjeve të drejtësisë dhe punëve të brendshme në sesionet trajnuese të organizuara nga Akademia thuhet në marrëveshje.

Marrëveshja përfshin definimin e aktiviteteve të mundshme përkrahëse të Akademisë në organizimin e kurseve trajnuese të CEPOL-it; të harmonizojë më tutje standardet e trajnimit të zbatimit të ligjit sa i përket bashkëpunimit ndër-kufitar; të ngritë  shkëmbimin e praktikave më të mira dhe japë AKSP-së qasje në seksionet publike të rrjetit elektronik të  CEPOL, të definuar si seksionet e qasshme për të gjithë përdoruesit e regjistruar të e-Net por me kufizime për përdoruesit e paregjistruar, nën kushtet e reciprocitetit dhe në masë të nevojshme për arritjen e objektivave për të cilat është arritur pajtueshmëri e përbashkët përmes marrëveshjes së tashme të punës.

Tutje në marrëveshjes përfshihet edhe  interesimi i përbashkët për të rritur efektivitetin e zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit, veçanërisht krimit ndër-kufitar, në Evropë duke mbajtur trajnime të përbashkëta për zyrtarët e zbatimit të ligjit për të ngritur vetëdijen dhe për të rritur njohurinë e instrumenteve dhe mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe evropian, si dhe të një game të gjerë të lenive të veçanta, si kundër-terrorizmi, trafikimi me narkotikë dhe krimi i organizuar, migrimi ilegal, dhe kontrolli kufitar ose trafikimi me qenie njerëzore.


CEPOL është Agjenci e Bashkimit Evropian për Trajnim të Zbatimit të Ligjit e cila ishte themeluar me vendimin e këshillit si një entitet i bashkimit me qëllim të trajnimit të zyrtarëve të lartë të policisë të shteteve anëtare dhe të lehtësimit të bashkëpunimit ndërmjet forcave policore kombëtare duke organizuar dhe koordinuar aktivitete trajnimi me dimension evropian të policimit.