Drejtori i Përgjithshëm Ismail Smakiqi priti në takim drejtorin e Akademisë Diplomatike Beqir Ismailin

07.02.2017

Vushtrri, 07 shkurt 2017 -  Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike në Kosovë,  Ambasadori Beqir Ismaili, i shoqëruar nga zyrtari i lartë për trajnime dhe zhvillim Enis Xhemaili,  sot vizitoi Akademinë e Kosovës  për  Siguri Publike (AKSP), ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm Ismail Smakiqi, dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi dhe menaxhmenti i lartë i Akademisë.

Qëllimi i vizitës së ambasadorit Ismaili ishte që të njihet më për së afërmi me zhvillimet në Akademi.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi e falënderoi ambasadorin Ismaili  për vizitën dhe njëherësh e vlerësoi këtë vizitë si shumë të rëndësishme.

Gjatë takimit, drejtori Smakiqi e njoftoi delegacionin e Akademisë Diplomatike për veprimtarinë e Akademisë, përfshirë të gjitha periudhat që nga themelimi e deri më sot. 

Smakiqi në theks të veçantë  foli për zhvillimet e fundit në Akademi, siç janë trajnimet dhe aktivitet tjera që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë si dhe për hapjen e Fakultetit të Sigurisë Publike.

Delegacioni u njoftua po ashtu edhe për fillimin e projektit të dytë të binjakëzimit. Me këtë rast, delegacioni u informua lidhur me bashkëpunimin që Akademia ka  me të gjitha institucionet e sigurisë, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare, si dhe për anëtarësimin e saj në asociacione dhe organizata ndërkombëtare në fushën e arsimit në siguri publike.

Drejtori Smakiqi u shpreh i gatshëm për bashkëpunim mes Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe Akademisë Diplomatike.

Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike në Kosovës, Beqir Ismaili, duke shprehur kënaqësinë e tij për vizitën në Akademi, vlerësoi se në AKSP bëhet një punë e mrekullueshme.

“Qëllimi i vizitës është që të njihemi më për se afërmi dhe për të shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit mes Akademisë për Siguri Publike dhe Akademisë Diplomatike”, tha Ismaili.

Ambasadori Beqir Ismaili më tutje shtoi se Akademia për Siguri Publike ka një rol shumë të rëndësishëm në Kosovë.

“Akademia është zemra e Kosovës, pasi që ka një përgjegjësi shumë të madhe për vendin, ku nga kjo varet siguria e fëmijëve tanë, siguria e shtetit, siguria e kufijve tanë, policia janë pasqyra e shtetit”, u shpreh Ismaili, duke thënë se sa më shumë bashkëpunim, sa më shumë shkëmbim të përvojave, suksesi është shumë më i madh. Në fund të dyja palët u shprehën të gatshme për një bashkëpunim të ndërsjellët.