Presidenti Sejdiu dha një ligjëratë para studentëve të Fakultetit të AKSP-së

30.11.2016
Vushtrri, 30.11.2016 - Sot para studentëve të Fakultetit të Sigurisë Publike të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mbajti një ligjëratë Presidenti i Republikës së Kosovës në periudhën 2006 - 2010, Prof. Dr.Fatmir Sejdiu me temën “Shtet-ndërtimi i Kosovës: Sfidat dhe perspektiva e zhvillimit të saj”. 

 

Fillimisht Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, në emër të Akademisë dhe studentëve të Fakultetit të Sigurisë Publike falënderoi Presidentin Sejdiu për një mundësi kaq unike dhe të rëndësishme për auditoriumin që t’i drejtohet atij me një ligjëratë. Përderisa Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Dr. Bejtush Gashi, i njoftoi të pranishmit me një biografi të shkurtër të Presidentit Sejdiu.

 

Në ligjëratën e tij, Presidenti Sejdiu elaboroi në detaje aspekte të rëndësishme si të sfidave që kishte Kosova në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit, duke filluar nga historia e saj e deri në ditët e sotme, po ashtu edhe të perspektivave të zhvillimit në të ardhmen. Në veçanti, Profesor Sejdiu foli për zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe procesin e njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe të integrimit të saj në mekanizmat ndërkombëtarë. Ai u ndal edhe në tema më tëdetajuara si pjesë e tërësishme e rrugëtimit të Kosovës drejt konsolidimit dhe zhvillimit të demokracisë, siç janë të drejtat e njeriut dhe respektimi i të gjitha pakicave kombëtare që jetojnë në Kosovë. 

 

Kjo ligjëratë zgjoi kureshtjen e studentëve të Fakultetit të Sigurisë Publike, të cilët shfrytëzuan këtë mundësi që Presidentit Sejdiut t’i bënin pyetje dhe komente të ndërlidhura me temën e ligjëratës. 

 

Prof. Dr. Fatmir Sejdiu u lind më 23.10.21951 në Pakashticë të Podujevës. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Podujevë, kurse Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës më 1974, ku mbaroi dhe studimet pasuniversitare. Në të njëjtin Universitet ka mbrojtur dhe disertacionin e Doktoratës dhe ka ligjëruar për shumë vite, kurse për studime të mëtejme ka qëndruar në Francë (Universiteti Paris 2), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Arizona State University) dhe gjetiu. Profesor Sejdiuka luajtur rol të rëndësishëm në skenën politike të Kosovës që nga viti 1989 e deri para pak vitesh, kurse më 10 shkurt 2006është zgjedhur President i dytë i Republikës së Kosovës, funksion të cilin e ka ushtruar deri në vitin 2010.