OSBE ndihmon në avancimin e SHKK-së

23.10.2009

Vushtrri, 23 tetor- Sot në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim kanë diplomuar 29 pjesëtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës të cilët për dy javë kanë ndjekur “Trajnimin për Trajnerë”, të organizuar nga OSBE. Të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së diplomave ishin  u.d e Kryeshefit Ekzekutiv të QKSPEZH znj. Taibe Canolli,  Këshilltari i Ministres së Drejtësisë z. Rrustem Buzhala, Zëvendës Komisari i SHKK z. Sokol Zogaj, Shefi i Departamentit për Siguri Publike në OSBE, z. Carsten Tweilmeier, Zëvendës Shefja e Njësitit të Korrektuesve në EULEX znj. Amu Mellko, si dhe zyrtarë të tjerë.

Gjatë kësaj ceremonie në emër të Ministres së Drejtësisë znj. Nekibe Kelmendi, të pranishmit i ka përshëndetur këshilltari i, z. Rrustem Buzhala i cili ka theksuar se ky trajnim ka qenë i domosdoshëm për pjesëtarët e SHKK-së të cilëve u ndihmon ne kryerjen e detyrave dhe në avancimin e tyre. Ai gjithashtu ka falënderuar OSBE-në dhe EULEX-in dhe ka shtuar se trajnime të tilla janë të mirëseardhura.

Ndërkaq Kryesuesi i Departamentit për Siguri Publike në OSBE z. Carsten Tweilmeier pasi ka përshëndetur të pranishmit, ka siguruar se OSBE do të përkrahë edhe me tutje aktivitete të tilla, “dua të them që sapo të njoftohemi për nevojat tuaja, ne do të jemi në gjendje t`i projektojmë ato dhe më pas t`i realizojmë ato”, ka thënë z Tweilmeier.

Ky trajnim që ka zgjatur dy javë dhe është ndarë në dy faza. Në atë teorike dhe praktike, pjesa teorike është realizuar ne QKSPEZH ndërsa ajo praktike është realizuar në ambientet e Burgut të Dubravës. Gjatë kësaj kohe, pjesëmarrësve u kanë ligjëruar ligjërues nga Austria, profesionist e kësaj fushe. Pjesëmarrësit e trajnimit pasi janë pajisur me diploma, kanë demonstruar para të pranishmëve disa nga aktivitetet qe i kanë mësuar gjatë këtij trajnimi.