Diplomoi gjenerata e 38-të e Policisë së Kosovës

24.07.2009

Vushtrri, 24 korrik 2009 – Pas një trajnimi të modifikuar 3 mujorë, sot në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim, diplomoi gjenerata e 38-të e zyrtarëve të rinj policorë. Kjo gjeneratë numëron gjithsej 80 oficerë policorë.

Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë ministri i  Punëve të Brendshme, z. Zenun Pajaziti, shefi i zyrës së stafit të kryemnistrit të Kosovës, z. Bekim Çollaku, drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, z.Agron Mustafa, u.d. e Kryeshefit Ekzekutiv të Qendrës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhillim, znj. Taibe Canolli, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, z. Sheremet Ahmeti, përfaqësues nga KFOR-i, FSK-ja, zyrtarë të lartë nga Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Departamenti për Menaxhimin e Emergjencave, si dhe familjarë të të diplomuarve.
Ministri i Brendshëm, z. Zenun Pjaziti i përgëzoi zyrtarët e rinj policorë për diplomimin, duke theksuar se policia është dhe do të mbetet edhe më tutje ndër institucionet më të rëndësishme në ruajtjen e rendit në vend. “Policia e Kosovës arriti të bëhet ndër organizatat policore më të suksesshme në rajon, falë përkushtimit, angazhimit  dhe bashkëpunimit edhe me institucionet ndërkombëtare”. Në fund ministri Pajaziti tha se “Policia e Kosovës është në prag të 10 vjetorit dhe këtë ditë do ta shënojë me shumë të arritura. Ajo që është thënë ‘zero tolerancë’ ndaj krimit të organizuar do të jetë moto e Policisë së Kosovës ”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Sheremet Ahmeti, vlerësoi se edukimi dhe trajnimi luajnë rol të rëndësishëm në formimin e kuadrit profesional. “Institucionet e zbatimit të ligjit duhet gjithmonë të përfaqësojnë komunitetin dhe shprehjen e vullnetit të lirë të tij, duke kuptuar se sistemi i qeverisjes që ne po e ndërtojmë nuk i jep fuqi absolute asnjë personi, grupi njerëzish apo institucioni, prandaj duhet të kujdesemi që si mbrojtës kryesor të këtij sistemi që ka ndërtuar vendi jonë, mos të lejojmë askë të jetë mbi ligjin”,- tha drejtori i Policisë së Kosovës, z. Sheremet Ahmeti.
Ndërsa, zëdhënësi i gjeneratës së 38-të, Besart Maloku, tha se do të përpiqen “që të mbrojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, race, gjinie, duke zbatuar me përpikshmëri Ligjet e Republikës së Kosovës”.
Pas shpërndarjes së diplomave, kapitenët e klasëve i dorëzuan flamujt, të cilët simbolizonin të arriturat akademike, disiplinën, si dhe arritjet në të gjitha fushat gjatë tre mujorit të trajnimit.